Secondary Adv

Ndryshimi i furnizuesit të energjisë, ERE gati projekt-rregulloren e re për procedurat dhe afatet

ERE nxjerr për konsultim rregullat e reja për ndryshimin e furnizuesit të energjisë, me aplikim online dhe afate të përcaktuara.

Klientët familjarë dhe bizneset do të mund të ndryshojnë furnizuesin e energjisë elektrike përmes një procedure elektronike, sipas projekt-rregullores së re që Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka nxjerrë për konsultim publik.


Dokumenti përcakton procedurat, afatet, kushtet financiare dhe detyrimet e palëve për kalimin nga një furnizues te një tjetër, në zbatim të ligjit të ri për sektorin e energjisë elektrike.


Aktualisht, familjarët dhe bizneset që përfitojnë nga shërbimi universal në tension të ulët, 0.4 kV, furnizohen me çmime të rregulluara nga ERE. Ndërkohë, në tregun e lirë, ku klientët mund të zgjedhin furnizuesin, janë përfshirë gradualisht subjektet e liberalizuara në nivelet e tensionit 35 kV, 20 kV, 10 kV dhe 6 kV.


Projekt-rregullorja nuk ndryshon kategoritë e klientëve që përfitojnë nga furnizimi me çmime të rregulluara.


Aplikimi për ndryshimin e furnizuesit do të kryhet edhe online

Sipas dokumentit, kërkesat për ndryshimin e furnizuesit do të administrohen përmes platformave elektronike të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), në varësi të rrjetit ku është lidhur klienti.


Aplikimi mund të paraqitet drejtpërdrejt nga konsumatori ose nga furnizuesi i ri, nëse ky i fundit është autorizuar prej tij.

“Nuk kërkohet paraqitja e të njëjtit informacion në formë shkresore, kur ky informacion është regjistruar dhe verifikuar në platformë”, përcakton neni 6 i projekt-rregullores.


Megjithatë, klientët do të ruajnë edhe mundësinë e paraqitjes së kërkesës me shkrim.


Afati maksimal 3 javë, procesi teknik jo më shumë se 24 orë

Projekt-rregullorja parashikon që ndryshimi i furnizuesit të realizohet brenda një afati maksimal prej tri javësh nga paraqitja e kërkesës, në përputhje me ligjin nr. 59/2026.


Rregullorja aktuale përcakton një afat prej 15 ditësh, ndërsa dokumenti i ri propozon një afat maksimal prej tri javësh për përfundimin e procedurës.

Pas plotësimit të kushteve të nevojshme, procesi teknik i kalimit nga një furnizues te tjetri nuk duhet të zgjasë më shumë se 24 orë.


Ndryshimi pa tarifa për familjarët dhe bizneset e vogla

Për klientët familjarë, ndërmarrjet mikro dhe ndërmarrjet e vogla, ndryshimi i furnizuesit parashikohet të kryhet pa tarifa.

Për kategoritë e tjera të klientëve mund të aplikohen tarifa për përfundimin e parakohshëm të kontratave me çmim fiks dhe afat të caktuar, por vetëm nëse plotësohen kushtet e përcaktuara në projekt-rregullore.


“Tarifa është komunikuar qartë para lidhjes së kontratës, është proporcionale dhe nuk e tejkalon humbjen e drejtpërdrejtë ekonomike të furnizuesit”, përcakton neni 5.


Kjo do të thotë se tarifat e mundshme për ndërprerjen e parakohshme të kontratave nuk mund të vendosen pa kufizime, por duhet të lidhen me humbjen e drejtpërdrejtë ekonomike të furnizuesit.


Detyrimet e papaguara nuk e pengojnë automatikisht ndryshimin

Projekt-rregullorja trajton edhe rastet kur klientët kanë detyrime të papaguara ndaj furnizuesit aktual të energjisë elektrike.

Sipas dokumentit, ndryshimi i furnizuesit mund të realizohet nëse ekziston një marrëveshje për shlyerjen e detyrimeve me këste ose nëse furnizuesi i ri merr përsipër detyrimet e klientit, bazuar në një marrëveshje me furnizuesin aktual.


“Ekzistenca e detyrimeve ndaj furnizuesit aktual nuk përbën, në vetvete, pengesë për ndryshimin e furnizuesit”, thuhet në nenin 7 të projekt-rregullores.


Mundësia për të ndryshuar furnizuesin përmes një marrëveshjeje për detyrimet e papaguara parashikohet edhe në rregulloren ekzistuese.


Fatura përfundimtare brenda 20 ditëve, ERE do të monitorojë procedurat

Një tjetër përcaktim i projekt-rregullores lidhet me të drejtën e klientëve për të marrë informacion mbi konsumin e energjisë dhe faturën përfundimtare brenda 20 ditëve nga ndryshimi i furnizuesit.


ERE do të monitorojë zbatimin e procedurave përmes platformave elektronike të operatorëve të rrjetit dhe do të ketë mundësi të nisë procedime administrative në rast të konstatimit të shkeljeve, edhe pa pasur një ankesë nga konsumatori.


Projekt-rregullorja synon të standardizojë procedurat e ndryshimit të furnizuesit, të lehtësojë aplikimin elektronik dhe të përcaktojë më qartë të drejtat dhe detyrimet e klientëve, furnizuesve dhe operatorëve të rrjetit.


Dokumenti ndodhet ende në fazën e konsultimit publik dhe nuk ka hyrë në fuqi. Deri në miratimin e tij përfundimtar, vijojnë të zbatohen rregullat aktuale për ndryshimin e furnizuesit të energjisë elektrike.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat